Nazmi Abduramani
28 Prill 2020•Përditësim: 29 Prill 2020
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka marrë vendim për ndryshimin e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve në territorin e mbarë vendit gjatë festave të 1 Majit, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi të qeverisë, më 1, 2, 3 maj, gjegjësisht të premten, të shtunën dhe të dielën, do të lejohet lëvizja e qytetarëve prej orës 05:00 të mëngjesit deri në ora 14:00.
"Ndalesa për lëvizje në mbarë vendin do të fillojë në ora 14:00 dhe do të zgjasë deri ora 05:00 ditën e ardhshme, theksohet në njoftimin qeveritar", thuhet në njoftimin zyrtar të qeverisë.
Për personat mbi moshën 67-vjeçare, të premten, të shtunën dhe të dielën lejohet lëvizja prej orës 05:00 deri në ora 11:00.
Të gjithë fëmijët dhe personat deri në moshën 18 vjeç, të premten, të shtunën dhe të dielën do të mund të dalin prej orës 12:00 deri në ora 14:00.
Ndërkaq, siç njoftohet më tej, të gjitha masat e tjera për mbrojtje nga COVID-19 mbeten në fuqi.