Fatih Erel
28 Prill 2020•Përditësim: 29 Prill 2020
Nëna dhe vëllai i ish-basketbollistit amerikan kanë vdekur nga COVID-19 në SHBA brenda një muaji, raporton Anadolu Agency (AA).
Erica Telfair, 64 vjeç, nëna e ish-yllit të NBA-së, Sebastian Telfair, ndërroi jetë të hënën, rreth një muaj pas vdekjes së vëllait të tij të madh Dan Turner më 28 mars.
"Prehu në paqe mami. Derisa të takojmë përsëri engjëllin tim", tha vëllai më i ri i lojtarit Ethan Telfair në një postim në Twitter.
I dalluar si një yll i ardhshëm, Sebastian Telfair nënshkroi me ekipin e NBA-së Portland Trail Blazers menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 2004.
Ai luajti në NBA për 10 sezone për skuadra të ndryshme, si Boston Celtics, Minnesota Timberwolves, Los Angeles Clippers dhe Phoenix Suns.
Në vitin 2019, ai u arrestua në Brooklyn për armëmbajtje dhe u dënua me tre vjet e gjysmë burg.
Megjithatë, sipas faqes së lajmeve amerikane të tabloidit TMZ, Telfair u lirua me kompensim prej 500 mijë dollarë me kusht, por mbetet i kufizuar me arrest shtëpiak të pjesshëm.
SHBA është vendi më i goditur nga pandemia e COVID-19, me afër një milion raste dhe gati 57,000 të vdekur.
Më shumë se 3.05 milionë njerëz në mbarë botën janë infektuar nga koronavirusi që kur u shfaq në Kinë dhjetorin e kaluar.
Rreth 900 mijë njerëz janë shëruar nga COVID-19, por sëmundja ka marrë më shumë se 211.500 jetë deri më tani, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins në SHBA.