Saimir Alija
21 Mars 2019•Përditësim: 22 Mars 2019
Partitë opozitare të Shqipërisë kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme protestën e tyre antiqeveritare, ndërsa po mbahej seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta e përfshirë edhe nga tensionet u organizua para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë nga Partia Demokratike (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Për mbarëvajtjen e protestës dhe sigurinë e seancës së sotme parlamentare janë angazhuar qindra forca policore, pranë Kuvendit të Shqipërisë dhe institucioneve tjera.
Protestuesit kanë hedhur tymuese dhe sende të tjera në drejtim të policisë, duke shkaktuar tensione dhe pëplasje mes policisë dhe protestuesve.
Ndërkaq, Policia e Shqipërisë ka marrë masa, duke rrethuar hyrjet kryesore të selisë së Parlamentit, duke krijuar një korridor sigurie për kalimi e ministrave dhe deputetëve.
Para fillimit të seancës ka ndodhur dhe një incident, ku deputeti Ralf Gjoni është qëlluar me bojë në hyrje të banesës së tij në momentin kur po i drejtohej seancës së Parlamentit, ku dhe do të bënte dhe betimin e tij si deputet i ri.
Partitë opozitare kanë organizuar në javët e fundit disa protesta në Tiranë që u përfshinë edhe nga tensionet, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë zgjedhjet e parakohshme.
Kujtojmë se deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën të japin dorëheqje nga mandatet e tyre parlamentare, ndërsa ky vendim është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE).
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kundërshton idenë për zgjedhje të parakohshme.