Abdula Berisha
29 Nëntor 2022•Përditësim: 29 Nëntor 2022
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pritur në takim presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili gjendet në një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Steinmeier u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në një ceremoni zyrtare, pas së cilës do të vijojë takimi dypalësh i dy presidentëve dhe takimi plenar i delegacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë. Është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për media e dy presidentëve.
Në kuadër të vizitës është paraparë që presidenti gjerman Steinmeier të mbajë fjalim para Kuvendit, si dhe takim në Qeveri me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Gjithashtu, Steinmeier do të vizitojë disa kompani gjermane që operojnë në Maqedoninë e Veriut.
Kjo është vizita e parë e presidentit federal Steinmeier në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pas Maqedonisë së Veriut, Steinmeier niset për të vizituar Shqipërinë fqinje.