Fatjon Cuka
25 dhjetor 2023•Përditësim: 26 dhjetor 2023
Besimtarët e krishterë në Shqipëri kremtojnë sot festën e Krishtlindjeve, ndërkohë në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit janë mbajtur meshat tradicionale dhe ceremoni të tjera, raporton Anadolu.
Meshat qendrore janë mbajtur në Tiranë, në Katedralen Katolike të "Shën Palit" dhe në Katedralen e Kishës Ortodokse, me pjesëmarrjen e besimtarëve dhe personaliteteve të ndryshme.
Me rastin e Krishtlindjeve, zyrtarët e lartë të Shqipërisë nëpërmjet mesazheve të tyre kanë uruar besimtarët e krishterë.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama i kanë publikuar në rrjetet sociale mesazhet e tyre të urimit.
Në mesazhin e kryeparlamentares Nikolla, publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se "Me rastin e festës së bukur të Krishtlindjes, u uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë shqiptarëve shëndet, mbarësi e bekime në familjet e tyre".
Gjithashtu në mesazhin e saj Nikolla thekson se uron dhe dëshiron që "qytetarët dhe fëmijët palestinezë dhe izraelitë të shpëtojnë nga tmerret e luftës dhe të gëzojnë frytet e paqes. Që qytetarët e Ukrainës dhe të kombeve të pushtuara të çlirohen dhe të jetojnë të lirë në shtëpitë e tyre".
Festa e Krishtlindjeve në Shqipëri shënohet si festë zyrtare.