Fatjon Cuka
20 Dhjetor 2021•Përditësim: 21 Dhjetor 2021
Në Shqipëri është mbajtur një protestë kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kundër nismës "Ballkani i Hapur", protestë e thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe mbështetur nga simpatizantë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit janë mbledhur fillimisht para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë(PD) në Tiranë për të marshuar më pas drejt Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
Në protestën e organizuar nën sloganin "Kundër paktit Rama-Vuçiq dhe pro Procesit të Berlinit", morën pjesë qindra persona nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, ndërkohë të pranishëm ishin edhe nga Kosova.
Gjatë protestës u shënuan edhe incidente, pasi u grisën dhe dogjën flamujt e Serbisë që ishin vendosur në bulevard në kuadër të takimeve mbi nismën "Ballkani i Hapur".
Sipas organizatorëve, protesta po mbahet pasi, "Vuçiq akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia", "Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe" dhe se "Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesor".
Gjatë fjalës në protestë, ish-kryeministri Berisha tha se protestojnë “në mbrojtje të interesave jetike të kombit shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare”.
"Ne jemi mbledhur sot këtu për të protestuar kundër projektit fantazmë të aleancës trelaterale Beograd-Tiranë-Shkup apo të treshes Vuçiq dhe vasalëve të tij Rama dhe Zaev. Dua të garantoj shqiptarët se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. Ne jemi, kemi qenë dhe do të mbeti të angazhuar për një bashkëpunim të sinqertë të frytshëm rajonal. Kjo është një protestë kundër një projekti i cili shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit, përveç Beogradit", u shpreh Berisha.
Kujtojmë se disa deputetë të PD-së e kanë kundërshtuar nismën "Ballkani i Hapur", me arsyetimin se “ajo u ndërtua në përputhje me vizionin gjeopolitik të Serbisë dhe se bie ndesh me interesat e shqiptarëve, interesat e rajonit dhe perspektivën evropiane”.
Takimet për nismën "Ballkani i Hapur" në Shqipëri
Takimet zyrtare në kuadër të nismës "Ballkani i Hapur" do të mbahen nesër në Tiranë me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ndërkohë, sonte me mbërritjen e delegacioneve, do të organizohet një darkë informale pa praninë e medias në Qarkun e Elbasanit.
Pas takimit mes liderëve dhe seancës plenare me diskutime nesër, do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe Forumi i Agrikulturës dhe Kooperimit Rajonal.
Kujtomë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia emërtuan nismën për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nisma “Ballkani i Hapur", ndërsa janë ftuar që pjesë e saj të bëhen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.