Fatjon Cuka
03 Janar 2022•Përditësim: 04 Janar 2022
Në Shqipëri është mbajtur një protestë kundër vaksinimit me detyrim ndaj koronavirusit të ri (COVID-19) për disa kategori, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta e mbajtur në Sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë ka mbledhur dhjetëra qytetarë, por edhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët kundërshtojnë vaksinimin me detyrim për punonjësit e administratës dhe të bizneseve.
Sipas pjesëmarrësve në protestë, urdhri që parashikon vaksinimin e punonjësve të administratës publike, punonjësve të supermarketeve dhe qendrave tregtare është i paligjshëm.
Protestuesit theksuan se kanë filluar "aksion ligjor" duke ankimuar tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi urdhrin e autoriteteve shëndetësore për vaksinimin e këtyre kategorive.
Sipas tyre, detyrimi për vaksinim i punonjësve të sektorit publik dhe privat është "diskriminim ndaj tyre", dhe kanë bërë thirrje që punonjësit dhe familjarët e tyre të protestojnë.
Kujtojmë se pas datës 4 janar, punonjësve të administratës publike, punonjësve të supermarketeve dhe qendrave tregtare në Shqipëri do t'u kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo pesë ditë.
Kjo masë ka hasur në kundërshtime të qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.