Hassan Isilow
23 Qershor 2023•Përditësim: 27 Qershor 2023
Të paktën 31 minatorë të dyshuar ilegalë kanë vdekur në një minierë të braktisur në Afrikën e Jugut, tha në një deklaratë Departamenti i Burimeve Minerale dhe Energjisë, transmeton Anadolu.
Minatorët e dyshuar të paligjshëm që besohet se ishin shtetas të Lesotos, vdiqën në provincën qendrore Free State më 18 maj, por departamenti tha se mori informacionin të enjten pasi Ministria e Punëve të Jashtme e Lesotos informoi Ministrinë e Jashtme të Afrikës së Jugut.
Minatorët e dyshuar të paligjshëm raportohet se kanë vdekur në një pus ventilimi të minierës që ishte funksional për herë të fundit në vitet 1990.
“Megjithëse informacionet për këtë situatë tragjike vijnë në mënyrë sporadike, ne po bëjmë çmos për të vepruar sipas informacioneve”, tha departamenti.
Hyrja në tunelet e minierave të braktisura në Afrikën e Jugut është e paligjshme, por shumë minatorë të paligjshëm gjejnë mënyra për të arritur atje.
Afrika e Jugut është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të arit dhe mineraleve të tjera të çmuara. Ka shumë tunele minierash të mbyllura të shpërndara në gjithë vendin.
Minierat e braktisura kanë tërhequr një numër të madh minatorësh të paligjshëm si nga brenda vendit, ashtu edhe nga rajoni i Afrikës Jugore.