Sayed Khodaberdi Sadat
03 Qershor 2017•Përditësim: 04 Qershor 2017
KABUL (AA) - Numri i viktimave në tre sulmet në një ceremoni varrimi në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul është rritur në 18, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët afganë, njoftuan se në ceremoninë e varrimit të djalit të ndihmës kryetarit të Senatit të Afganistanit, Alem Izzedyar, Salem Izzedyar në Kabul kanë shpërthyer 3 bomba. Njoftohet se në sulm kanë humbur jetën të paktën 18 persona, ndërsa janë plagosur 87 të tjerë.
Sipas dëshmitarëve okularë, gjatë ceremonisë ka ndodhur një shpërthim, ndërsa pas këtij sulmi dy sulmues vetëvrasës kanë shpërthyer bombat.
Mësohet se në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë shefi ekzekutiv i Afganistanit Abdullah Abdullah, ministri i Punëve të Jashtme, Selahaddin Rabbani dhe shumë zyrtarë të lartë.
Përgjegjësinë mbi sulmin nuk e ka marrë askush. Salem Izzedyar kishte humbur jetën në protestën në Kabul pasi që forcat e sigurisë kishin hapur zjarr mbi protestuesit.
Në sulmin me bombë disa ditë më parë në rajonin Vezir Ekber Han ku gjenden edhe përfaqësitë diplomatike në kryeqytetin e Afganistanit, humbën jetën 90 persona, ndërsa mbetën të plagosur 461 persona.