Sayed Khodaberdi Sadat
15 Dhjetor 2015•Përditësim: 15 Dhjetor 2015
MEZAR-I SHERIF (AA) - Në krahinën Baglan në veri të Afganistanit ka shpërthyer një predhë mortaje ku humbën jetën tre gra, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtar i Sigurisë në Baglan Abdulrashid Beshir në deklaratën për gazetarin e AA-së, tha se predha e mortajës e cila ka mbetur nga periudha e luftës civile në rajonin Mullahil të krahinës, ka shpërthyer pasi që gratë dhe fëmijët kanë lozur me të.
Beshir tha se nga shpërthimi jetën e humbën tre gra, ndërsa tre fëmijë janë plagosur dhe janë dërguar në spitalin shtetëror në Baglan.
Ai tha se një nga fëmijët e plagosur është në gjendje të rëndë dhe se të vdekurit dhe të plagosurit në incident i përkasin të njëjtës familje.
Dy javë më parë në rajonin Garavshah të Baglanit jetën e humbën tre persona si pasojë e shpërthimit të një predhe mortaje.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëron se mjetet shpërthyese kanë mbetur gjatë tërheqjes së forcave Sovjetike nga Afganistani në vitin 1989. Të njëjtat shpesh herë shkaktojnë viktima dhe plagosje në njerëz.
Pavarësisht punimeve të pastrimit, Afganistani është vendi ku zbulohen më shumë mjete shpërthyese në botë.