Ekip
23 Janar 2021•Përditësim: 24 Janar 2021
Qeveria afgane mirëpriti hapin e administratës së re Biden të SHBA-së për rishikimin e marrëveshjes së shkurtit 2020 me kryengritësit Talebanë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi presidencial Sediq Sediqqi në një deklaratë tha se marrëveshja midis SHBA-së dhe Talebanëve deri më tani nuk ka arritur të përmbushë qëllimin e dëshiruar për t'i dhënë fund dhunës së militantëve dhe për vendosjen e një armëpushimi.
"Talebanët nuk i respektuan zotimet e tyre", tha ai.
Deklarata e tij erdhi pas një bisede telefonike midis Jake Sullivan, këshilltarit të ri të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, dhe homologut të tij afgan Hamdullah Mohib.
Administrata e presidentit Joe Biden të premten deklaroi se është duke shqyrtuar rishikimin e marrëveshjes midis Washingtonit dhe Talebanëve.
Në bisedën me Sullivan, Mohib tha se ata ranë dakord të punojnë drejt një armëpushimi të përhershëm dhe paqes së qëndrueshme në Afganistan "me aftësinë për të ruajtur arritjet e dy dekadave të fundit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë afganëve dhe vazhdimin e reformave".
Në një seri poshtimesh në Twitter, Sullivan u shpreh se partneriteti me qeverinë e Afganistanit dhe forcat afgane të sigurisë dhe mbrojtjes mbetet prioritet dhe çelës i objektivit të sigurisë kombëtare të SHBA-së.
"Ne do të vazhdojmë konsultat e ngushta në ditët dhe javët në vijim", shtoi ai.
Javën e kaluar, pas vrasjes së dy gjyqtareve në kryeqytetin Kabul, Ambasada e SHBA-së paralajmëroi Talebanët që të ndërpresin sulmet ndaj civilëve me qëllim të arritjes së paqes në Afganistan.
"Talebanët duhet të kuptojnë se veprimet e tilla për të cilat mbajnë përgjegjësi, shkaktojnë zemërim në botë dhe duhet t'u japin fund nëse duan që Afganistani të arrijë paqen", shkroi Ross Wilson, i ngarkuari i SHBA-së.
Paraljmërimet për rishikimin e marrëveshjes vijnë për shkak ngecjes së bisedimeve brendaafgane në kryeqytetin e Katarit, Doha, të cilat synonin t'i jepnin fund konfliktit gati dydekadësh në Afganistan.