Gökhan Ergöçün
18 Nëntor 2021•Përditësim: 18 Nëntor 2021
Prodhuesi i avionëve Airbus parashikon shitjen e rreth 39.000 avionëve të rinj deri në vitin 2040, duke përfshirë avionë të pasagjerëve dhe të mallrave, për shkak të nxjerrjes nga përdorimi i avionëve të vjetruar dhe rritjes së kërkesës për transport ajror, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Deri në vitin 2040 shumica dërrmuese e avionëve komercialë në operim do të jenë të gjeneratës së fundit, nga rreth 13 për qind sa janë sot, duke përmirësuar ndjeshëm efikasitetin e CO2 të flotës së avionëve komercialë në botë", theksojnë nga Airbus në një njoftim për media.
Nga kompania gjithashtu thonë se sektori i aviacionit kontribuon në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) global me 4 për qind dhe punëson 90 milionë njerëz në mbarë botën çdo vit.
Sektori humbi rreth dy vite të rritjes për shkak të pandemisë, thonë nga kompania, duke shtuar: "Trafiku i pasagjerëve ka demonstruar elasticitetin e tij dhe pritet të rikuperohet me një rritje vjetore prej 3,9 për qind në vit, e nxitur nga rritja ekonomike dhe tregtare në mbarë globin, duke përfshirë turizmin”.
Nga Airbus vlerësojnë se përderisa Azia në vitet e ardhshme do të jetë tregu me rritjen më të shpejtë për sa i përket trafikut ajror, tregu i brendshëm ajror kinez do të jetë tregu më i madh në nivel global.
- Kërkesat për personel të ri
Prodhuesi i avionëve theksoi se rreth 20 për qind e rënies do të vazhdojë në tregun e aviacionit për shkak të pandemisë deri në vitin 2025.
Gjithashtu vlerësohet se tregu i shërbimeve do të rimëkëmbet në vitet e ardhshme, ndërsa më shumë se 550 mijë pilotë të rinj dhe mbi 700 mijë teknikë me aftësi të lartë do të nevojiten gjatë 20 viteve të ardhshme.
“Përderisa mirëmbajtja do të mbetet segmenti kryesor i shërbimeve, fluturimi, operacionet tokësore dhe shërbimet e qëndrueshme gjithashtu pritet të rriten ndjeshëm”, shtoi ai.
Duke folur për temën e dekarbonizimit, Christian Scherer, shefi komercial i kompanisë, tha: "Bota pret fluturime më të qëndrueshme dhe kjo do të bëhet e mundur në afat të shkurtër nga prezantimi i shumicës së aeroplanëve modernë".
Gama e produkteve të Airbus mbështet të paktën një rritje të efikasitetit të CO2 prej 20 për qind në krahasim me avionët e gjeneratës së mëparshme, shtohet në njoftimin për media.