Felix Nkambeh Tih,Can Erözden
02 Qershor 2016•Përditësim: 02 Qershor 2016
MOGADISHU (AA) – Të paktën 11 njerëz, duke përfshirë edhe dy anëtarë të parlamentit, u vranë natën e kaluar në një sulm vetëvrasës në një hotel në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët somalezë deklaruan se Hotel Ambasador në qendër të Mogadishus mbrëmë ishte shënjestër e sulmit vetëvrasës me makinë bombë. Pas sulmit me bombë në hotel është futur një grup sulmuesish të armatosur, të cilët u përleshën me forcat e sigurisë somaleze. Policia sot në mëngjes ka njoftuar se ka vendosur kontrollin në hotel.
Sipas informacioneve paraprake, nga shpërthimi i një makine bombë në hyrjen kryesore të hotelit në qendër të Mogadishut dhe sulmit me armë të terroristëve, të paktën 11 njerëz janë vrarë, duke përfshirë edhe Abdullah Jama Kabawwyne dhe Mohamoud Mohamed Gure, përfaqësues të Parlamentit të Somalisë.
Policia ka shpëtuar katër deputet të tjerë të cilët ishin në hotel gjatë sulmit të mbrëmshëm. Mediat lokale raportojnë se nga sulmi janë plagosur të paktën 50 persona.
Organizata terroriste Al Shabaab mori përgjegjësinë për sulmin e natës së kaluar. Në një deklaratë të Al Shabaab, të cilën e transmeton agjencia e lajmeve SomaliMemo theksohet se militantët e organizatës pas shpërthimit kanë arritur të hynë dhe të marrin kontrollin e hotelit.
Nesër në një vizitë zyrtare në Mogadishu duhet të mbërrijë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Ambasadës së re turke.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë në mëngjes e ka dënuar ashpër sulmin terrorist në Mogadishu, duke shtuar se Turqia do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Somalinë në rrugën e saj të stabilizimit dhe përparimit.