Ekip
05 Gusht 2019•Përditësim: 05 Gusht 2019
Dy militantë të organizatës Al-Shabaab u ekzekutuan nga gjykata ushtarake në Mogadishu, kryeqytetin e Somalisë, ka njoftuar media shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ata u dënuan nga tribunali ushtarak për rolin e tyre në sulmet terroriste dhe vrasjen e zyrtarëve, gazetarëve dhe civilëve në Mogadishu mes viteve 2017-2018.
“Anshour Osman Abukar (23) dhe Mohamed Ali Borow (25) u dënuan për rolin e tyre në disa sulme duke përfshirë edhe ato në hotelet Nasa-Hablod dhe Sahafi dhe në teatrin kombëtar ku mbetën të vrarë mbi 15 persona duke përfshirë gazetarë, zyrtarë qeveritarë dhe civilë në Mogadishu, kryeqytetin e Somalisë", njoftuan të hënën mediat shtetërore dhe lokale.
Të enjten e kaluar, tribunali ushtarak i Somalisë kishte dënuar një militant të DEASH-it për rolin e tij në vrasjen e pesë personave, duke përfshirë civilë dhe një zyrtar të sigurisë në disa incidente të ndara në vitet 2018-2019 në Somalinë Jugore.
Somalia, e vendosur në vendin që njihet si Briri i Afrikës dhe që kufizohet me Etiopinë në perëndim dhe Gjirin e Adenit në veri, është përballur me sulme të shumta terroriste gjatë dy dekadave të fundit.
Në tetor të vitit 2017, qindra njerëz u vranë në një sulm me autobombë në Mogadishu, sulmi më vdekjeprurës në historinë e vendit.