Emel Gözellik
13 Janar 2020•Përditësim: 14 Janar 2020
Me rënien e temperaturave në Uellsin e Ri Jugor në Australi janë vënë nën kontroll një pjesë e zjarreve të cilat vazhdojnë prej muajsh në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët e njësisë së zjarrfikësve kanë bërë të ditur se në përpjekjet për shuarjen e zjarreve në Uellsin e Ri Jugor për herë të parë prej një kohe të gjatë janë vënë nën kontroll një pjesë e zjarreve si rezultat i rënies së temperaturave.
Kryesuesi i ekipit që lufton në shuarjen e zjarreve në afërsi të rajonit Bodalla, Dale McLean deklaroi se me rënien e temperaturave dhe rënien e shpejtësisë së erës kanë kryer një ndërhyrje më efektive ndaj zjarreve.
Në anën tjetër zyrtarët e metereologjisë kanë njoftuar se ulja e temperaturave pritet të vazhdojë edhe në javën e ardhshme.
Falë shiut të lehtë është vënë nën kontroll zjarri në malin Gospers në afërsi të qytetit Sidney, zjarr ky i cili vazhon që prej muajit tetor e deri më tani.
Australia po përballet me zjarre vdekjeprurëse që nuk po munden të vihen nën kontroll. Vlerësohet se si pasojë zjarret kanë dëmtuar rrreth 10 milionë hektarë tokë, kanë djegur mbi 2.000 shtëpi dhe kanë vrarë rreth gjysëm miliardi kafshë.
Si pasojë e zjarreve të paktën 27 persona e kanë humbur jetën.