Islam Uddin
07 shkurt 2022•Përditësim: 08 shkurt 2022
Australia sot paralajmëroi rihapjen e kufijve të saj për turistët e vaksinuar plotësisht nga 21 shkurti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Kabineti i Kryeministrit thuhet se vendi do të rihapet për të gjithë mbajtësit e vizave plotësisht të vaksinuar, duke mirëpritur kthimin e turistëve, udhëtarëve afaristë dhe vizitorëve të tjerë.
“Këto ndryshime do të sigurojnë që ne të mbrojmë shëndetin e australianëve ndërsa vazhdojmë të sigurojmë rimëkëmbjen tonë ekonomike”, tha kryeministri Scott Morrison.
"Sistemi shëndetësor i Australisë ka demonstruar qëndrueshmërinë e tij gjatë gjithë pandemisë së COVID-19, përfshirë edhe valën e fundit të variantit Omicron. Me përmirësimin e kushteve shëndetësore, përfshirë një rënie të kohëve të fundit prej 23 për qind të shtrimeve në spital për shkak të COVID-it, Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Kabinetit ra dakord sot se Australia është gati. Për të avancuar më tej rihapjen e kufirit tonë ndërkombëtar”, shtoi ai.
Ata mbajtës të vizave që nuk janë vaksinuar plotësisht do të duhet të aplikojnë për përjashtim udhëtimi dhe nëse qeveria miraton kërkesën e tyre për të hyrë në Australi, ata do të duhet të karantinohen.
Morrison tha se vendimi i ri për të rihapur kufijtë për turistët do të nxiste turizmin.