Islam Uddin
10 Mars 2022•Përditësim: 10 Mars 2022
Australia njoftoi sot se do të rrisë personelin e saj aktiv të mbrojtjes për një të tretën deri në vitin 2040 "për të ruajtur sigurinë e australianëve në një mjedis global gjithnjë e më të pasigurt", transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e kryeministrit në deklaratën e saj njoftoi se numri i forcave do të rritet me 18.500 pjesëtarë në 80.000 gjatë periudhës 18-vjeçare, me një kosto prej rreth 38 miliardë dollarë australianë (27 miliardë dollarë amerikan).
“Prioriteti kryesor i qeverisë sime është të mbajmë australianët të sigurt dhe për ta bërë këtë ne kemi nevojë për forcë mbrojtëse më të madhe me më shumë ushtarë, marinarë dhe aviatorë dhe gra që do të operojnë me aftësitë më të avancuara që po marrim për të mbrojtur Australinë”, tha kryeministri Scott Morrison, i cili pritet të shpallë zgjedhjet e përgjithshme në maj.
“Bota jonë po bëhet gjithnjë e më e pasigurt, kështu që është e rëndësishme që të ndërmarrim hapa tani për të mbrojtur popullin dhe interesin tonë kombëtar gjatë dekadave të ardhshme”, shtoi ai.
Morrison shtoi se personeli i Forcave Mbrojtëse të Australisë do të rritet në çdo shtet dhe territor, me një fokus të veçantë në aftësitë që lidhen me partneritetin trepalësh të sigurisë midis Australisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së (AUKUS).
Ministri i Mbrojtjes, Peter Dutton tha se plani i zgjerimit "do të na mundësojë furnizimin me nëndetëset tona me energji bërthamore, anijet, avionët dhe armët e avancuara. Kjo do të thotë se ne mund të ndërtojmë aftësi luftarake në fushat e hapësirës, informacionit dhe kibernetikës".
Pakti i sigurisë AUKUS, i nënshkruar vitin e kaluar, i lejon Australisë të ndërtojë nëndetëse me energji bërthamore, një marrëveshje për të cilën Kina thotë se do të minojë paqen dhe stabilitetin rajonal dhe do të intensifikojë garën e armëve.