Şerife Çetin
16 Tetor 2017•Përditësim: 17 Tetor 2017
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Evropian (BE) për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe zhvillimeve në Arakan, ka njoftuar se do të rishikojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me Mianmarin dhe do të pezullojë të gjitha ftesat në lidhje me shefin e shtabit dhe autoritetet e tjera të larta ushtarake të Mianmarit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim të publikuar nga Këshilli i BE-së theksohet se janë shqetësuese raportet në lidhje me situatën në rajonin Arakan, për gjendjen humanitare dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë arritur përmasa shumë serioze, për zjarrëvëniet, për hapjen e zjarrit pa dallim, për dhunën seksuale dhe veprime të ngjashme.
"Më shumë se 500 mijë muslimanë të Arakanit janë strehuar në Bangladesh për shkak të dhunës dhe frikës. Largimi i një numri kaq të madh në një kohë të shkurtër është tregues i saktë i veprimeve të qëllimshme kundrejt një pakice të caktuar. Kjo dhunë është e papranueshme dhe duhet të ndalet menjëherë", thuhet në deklaratë.
Më tej në deklaratën ku mbrohet ideja se për muslimanët e Arakanit duhet të sigurohet që ata të rikthehen në mënyrë të sigurtë në shtëpitë e tyre, njoftohet se vazhdon në mënyrë serioze të pengohet dërgimi i ndihmave humanitare dhe qasja e shtypit në rajon.
"Ushtria e Mianmarit duhet të mbrojë të gjithë civilët"
Pasi rikujtohet se BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve për t'i dhënë fund dhunës, në deklaratë thuhet se "Ushtria e Mianmarit duhet t'i japë fund të gjitha operacioneve të saj dhe duhet të mbrojë të gjithë civilët pa dallim, në përputhje me të drejtat ndërkombëtare të njeriut."
Gjithashtu në deklaratë vihet në dukje se qeveria e Mianmarit duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për uljen e tensioneve mes komuniteteve dhe se pa vonesa të mëtejshme duhet të dërgohen ndihma humanitare në mënyrë të sigurtë në rajon.
"Do të rishikohet bashkëpunimi i mbrojtjes"
"Për shkak të përdorimit disproporcional të forcës, BE-ja do të rishikojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me Mianmarin dhe do të pezullojë të gjitha ftesat në lidhje me shefin e shtabit dhe autoritetet e tjera të larta ushtarake të Mianmarit", thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Embargoja për armët që BE mund të përdorë ndaj Mianmarit, e ruan vlefshmërinë në kuadër të zhvillimeve aktuale, thuhet në deklaratën ku theksohet se "Këshilli i BE-së mund të mendojë vendosjen e sanksioneve shtesë nëse situata nuk përmirësohet në rajon. Nga ana tjetër, zhvillimet pozitive nuk do të shpërfillen."
Spastrimi etnik i muslimanëve të Arakanit
Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.
Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar më shumë se 200 fshatra.
Rreth 84 për qind e 2 milionë muslimanëve të Arakanit të cilët janë përballur me spastrimet etnike sistematike që nga vitet 1970 në Mianmar, janë strehuar nëpër vendet përreth rajonit.