Ata Ufuk Şeker
23 Qershor 2017•Përditësim: 23 Qershor 2017
BRUKSEL (AA) – Krerët e Bashkimit Evropian (BE) të enjten në Bruksel arritën marrëveshje për vazhdimin e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë edhe për gjashtë muaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, përmes Twitter-it konfirmoi se krerët e vendeve anëtare ranë dakord që sanksionet ndaj Moskës të vazhdohen për shkak se nuk zbaton dispozitat e Marrëveshjes së Minskut.
“Është dakorduar. Sanksionet ndaj Rusisë janë zgjatur për shkak të mungesës së zbatimit të Marrëveshjes së Minskut”, shkroi Tusk në profilin e tij në Twitter.
Ndryshe, sanksionet kanë të bëjnë me bankat ruse, sektorin e mbrojtjes dhe atë energjetik. Sanksionet ndaj Moskës janë vendosur më 31 korrik të vitit 2014 për shkak të rolit rus në konfliktin në lindje të Ukrainës.
Tre muaj më vonë, në shtator të vitit 2014, në mënyrë shtesë janë përforcuar. Në muajin mars të vitit 2015 janë vazhduar, ndërsa për heqjen e tyre është vendosur respektimi i Marrëveshjes së Minskut.