Dildar Baykan Atalay
19 Shkurt 2022•Përditësim: 20 Shkurt 2022
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden deklaroi se beson që presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka vendosur të pushtojë Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Biden iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me zhvillimet e fundit në krizën e Ukrainës.
"Ditët e fundit shohim që forcat e mbështetura nga Rusia kanë shkelur seriozisht armëpushimin", tha Biden duke mbrojtur idenë e tij se këto forca ia kanë hedhur fajin Ukrainës për sulmet e kryera në Donbas.
Presidenti amerikan theksoi se Rusia po zhvillon në mënyrë serioze një fushatë dezinformimi dhe se të gjitha këto janë arsyetime që Rusia i prodhon për të sulmuar Ukrainën.
Biden tha se Rusia ka aktualisht 150 mijë ushtarë në kufijtë e Ukrainës dhe Bjellorusisë si dhe në Detin e Zi. "Kemi arsye për të besuar se Rusia do të sulmojë në javët e ardhshme. Besojmë se në objektiv do të jetë edhe Kievi, kryeqyteti i Ukrainës ku jetojnë 2.8 milionë njerëz të pafajshëm", tha ai.
Në pyetjen se "A besoni se Putin ka marrë vendim të pushtojë Ukrainën?", Biden u përgjigj: "Po, besoj se aktualisht Putin e ka vendosur këtë".