Ekip
30 Tetor 2022•Përditësim: 31 Tetor 2022
Policia britanike tha se një person u plagos të dielën kur bomba me gaz u hodhën në një qendër emigracioni në qytetin port anglez të Doverit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Forcat policore të Kentit thanë se "dy deri në tre mjete ndezëse" u hodhën në ndërtesë dhe një person u plagos lehtë. Shërbimet zjarrfikëse dhe të shpëtimit arritën të shuanin zjarrin në vendngjarje.
Fotografi i cili ishte në vendngjarje tha se një person shkoi me automjet në qendër dhe hodhi tre bomba gazi në ndërtesë, pas së cilës shkoi në një pikë karburanti aty pranë dhe vrau veten.
Policia tha se “i dyshuari është identifikuar dhe gjetur”.
Dover është pika e mbërritjes së shumë emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez (La Manche) nga Franca me varka të vogla. Numri i personave që përpiqen të arrijnë në tokën britanike me mjete të rrezikshme është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Që nga fillimi i vitit, 40 mijë njerëz kanë mbërritur në Britani të Madhe përmes një prej rrugëve më të ngarkuara të transportit në botë. Në vitin 2021, ky numër ishte 28 mijë dhe një vit më parë ishte 8.500.
Marrëdhëniet midis Britanisë dhe Francës janë përkeqësuar pasi Londra kërcënoi se do t'i kthejë emigrantët që vijnë përtej Kanalit Anglez.
Qeveria Konservatore e Britanisë ka njoftuar një plan të diskutueshëm, sipas të cilit, njerëzit që hyjnë ilegalisht në Britani do të deportohen në Ruandë. Kritikët thonë se plani është imoral dhe jopraktik dhe se po kundërshtohet në gjykata.