Ahmet Gürhan Kartal
07 Shkurt 2017•Përditësim: 07 Shkurt 2017
LONDËR (AA) - Qeveria e Britanisë së Madhe të martën ka dënuar vendimin e Parlamentit të Izraelit për ndërtimin e rreth 4,000 njësive ilegale të reja të banimit në tokën palestineze, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari në Ministrinë e Jashtme të Britanisë për Lindjen e Mesme, Tobias Ellwood, përmes një deklarate thekson: "Si një mik i moçëm i Izraelit, dënoj miratimin e Knessetit, i cili dëmton raportet e Izraelit me partnerët e tij ndërkombëtarë."
Komentet Ellwood vijnë në më pak se 24 orë pas takimit në Londër mes Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe kryeministres britanike Tereza May.
Po ashtu edhe Qeveria përmes një deklaratë pas takimit theksoi se qëndrimi i Britanisë së Madhe në lidhje me zgjidhjen e çështjes "nuk ka ndryshuar." "Kryeministrja përsëriti kundërshtimin e Britanisë së Madhe në lidhje me aktivitetet e ndërtimit", thuhet më tej.
Marrëdhëniet në mes të Britanisë dhe Izraelit ishin tronditur së fundmi, me rastin e dënimit nga qeveria May të politikave izraelite të ndërtimit të vendbanimeve të reja dhe nga skandali i shkaktuar, kur një zyrtar i ambasadës izraelite ishte filmuar fshehurazi duke folur kundër disa politikanëve britanikë.