Alma Dekovic
21 Mars 2022•Përditësim: 22 Mars 2022
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha sot se pushtimi i Kievit mbetet qëllimi kryesor ushtarak i Rusisë, ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë në veri të kryeqytetit ukrainas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të fundit të inteligjencës britanike të mbrojtjes, rezistenca e ashpër ukrainase ka ndaluar përparimin e forcave ruse, por "pushtimi i Kievit mbetet qëllimi primar forcave ushtarake ruse në javët e ardhshme".
"Forcat ruse që përparojnë drejt qytetit nga verilindja kanë ngecur. Forcat që përparojnë nga Hostomel në veriperëndim janë ndalur nga rezistenca e ashpër ukrainase. Shumica e forcave ruse janë ende më shumë se 25 kilometra nga qendra e qytetit", shkroi ministria britanike në Twitter.
Më herët, Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se forcat ruse po përparonin nga drejtimi i Krimesë dhe se ata ende po përpiqeshin të kapërcenin Nikolaevin ndërsa tentonin të lëviznin në perëndim drejt Odesës, duke shtuar se forcat ruse kishin bërë përparim të vogël javën e kaluar.
“Bllokada e bregdetit ukrainas ka shumë të ngjarë të përkeqësojë situatën humanitare në Ukrainë dhe të parandalojë që ushqimet bazë të arrijnë tek populli ukrainas”, tha ministria.