Tayfun Salcı
12 Maj 2016•Përditësim: 12 Maj 2016
LONDËR (AA) – Kryeministri britanik, David Cameron, tha se korrupsioni është një problem i ngjashëm me karcinomin dhe se zgjidhja e shumë problemeve në botë është lufta efikase kundër korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Londër, po mbahet Samiti për luftën kundër korrupsionit në të cilin rolin e moderatorit e ka kryeministri britanik Cameron. Ai tha se samiti ka bashkuar liderët dhe zyrtarët nga rreth 70 vende, duke shtuar se edhe kjo është një tregues se korrupsioni paraqet një problem të madh.
"Korrupsioni është karcinom në zemrën e të gjitha problemeve të botës. Nëse duam të luftojmë kundër radikalizmit, atëherë duhet së pari të luftojmë kundër korrupsionit. Nëse duam të përballemi me abuzuesit e taksave dhe ata që janë përfshirë në pastrimin e parave, ne sërish duhet të luftojmë kundër korrupsionit", tha Cameron.
Duke theksuar nevojën e gjetjes së mënyrës për të çrrënjosur korrupsionin nga parlamentet, institucionet, sporti dhe fusha të tjera, Cameron tha se ky nuk është problem vetëm i legjislacionit, por ky është një problem më i gjerë dhe kulturës.
Kreu i qeverisë britanike shtoi se lufta kundër korrupsionit kërkon një luftë thelbësore dhe një luftë më të gjerë shoqërore, dhe pastaj duhet të përfshijë të gjithë sektorët që mund të jenë kanale të korrupsionit, duke përfshirë kontabilistët, avokatët, shërbimet publike dhe të tjerët.