Sibel Uğurlu
18 Tetor 2016•Përditësim: 18 Tetor 2016
HALEP (AA) – Dezertorët nga DEASH-i të cilët i janë bashkuar grupit terrorist nga vende të huaja por që më vonë janë penduar, tani po gjejnë strehim në kampet e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) në veri të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Dhjetëra dezertorë shtetas francezë, holandezë dhe nga vende të ndryshme të Evropës përfshirë një numër të konsiderueshëm arabë dhe nga Uzbekistani aktulisht po rehabilitohen në grupin opozitar Jaysh al-Tahrir, që është një grup i armatosur nën ombrellën e ULS-së.
Dezertorët shumica prej të cilëve kanë braktisur pjesët e Halepit nën kontroll të DEASH-it, po u nënshtrohen ligjëratave fetare për të larguar nga ata indoktrinimin e shtrembëruar ideologjik të grupit terrorist.
Dy vajza franceze rrëfyen për Anadolu Agency mënyrën e arratisjes së tyre nga grupi terrorist dhe ndihmën që kanë hasur në kampet e ULS-së.
Duke folur në kushte anonimiteti nga shkaku i frikës për sigurinë e tyre, dy vajzat rikujtuan ikjen nga zona e cila ishte në shënjestër të vazhdueshme të sulmeve ajrore.
Vajzat kishin ikur natën me një automjet i cili ishte prishur në rrugë, për çka ishin detyruar të vazhdojnë në këmbë derisa kanë hasur në një zonë të Hapelit nën kontroll të ULS-së.
“Arritëm në një pikë kontrolluese afër qytetit të Azazit. Ushtarët na morën dhe na dhanë ushqim”, rrëfeu njëra nga vajzat. “Na ndihmuan pasi ishim të lodhura dhe të lënduara nga udhëtimi i gjatë”, tha ajo.
Vajzat treguan se ushtarët e ULS-së i kishin sjellë ata në vendin ku tani jetojnë, për të shtuar se nuk kanë qenë të keqtrajtuara, por thanë se nuk dëshirojnë të kthehen në Francë.
“Janë miqësorë, por ne prap se prap e kemi të vështirë. Gjuha është problem”, thanë vajzat franceze të cilat kishin ikur nga zonat e DEASH-it.