Eshat Fırat
12 dhjetor 2017•Përditësim: 13 dhjetor 2017
RAMALLAH (AA) – Tridhjetë e gjashtë palestinezë janë plagosur në përleshjet me forcat izraelite në ditën e gjashtë të protestave në Bregun Perëndimor të okupuar kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për ta njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga Gjysmëhëna e Kuqe e Palestinës, bëhet fjalë për 36 të plagosur nga ndërhyrjet e ushtarëve izraelitë me gaz lotsjellës dhe plumba të vërtetë dhe të gomës në Ramallah, Tulkerm dhe rajone të tjera të Bregut Perëndimor.
Ndërkaq, forcat izraelite kanë ndërhyrë edhe në protestat në hyrje të Betlehemit po ashtu me gaz lotsjellës dhe plumba të vërtetë dhe të gomës.
Nga ana tjetër, protestuesit palestinezë u përpoqën të kundërpërgjigjen me gurë dhe goma të djegura të automjeteve.
Dhjetra palestinezë të plagosur në protestat në Bregun Perëndimor
Tridhjetë e gjashtë palestinezë janë plagosur nga ndërhyrjet e forcave izraelite në Bregun Perëndimor, në protestat kundër vendimit të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit
12.12.2017
Përleshje mes ushtarëve izraelitë dhe protestuesve palestinezë kanë ndodhur edhe në kampin palestinez të refugjatëve Arrub në jug të Betlehemit dhe në qytezën Sair në jug të El Halilit.
Ndërkohë, bëhet e ditur se ushtarët izraelitë kanë hapur zjarr dhe kanë plagosur një fëmijë palestinez në afërsi të qytetit Selfit të Bregut Perëndimor të okupuar, duke pretenduar se po tentonte të kryente sulm me thikë.
Ministria e Shëndetësisë e Palestinës përmes një njoftimi me shkrim bëri të ditur se fëmija i plagosur palestinez është transferuar në një siptal në Izrael, duke mos dhënë hollësi rreth incidentit.