Gökhan Kavak
09 Janar 2017•Përditësim: 09 Janar 2017
ABUJA (AA) – Bëhet e ditur se dy sulme vetëvrasëse kanë ndodhur në Nigeri, ku si pasojë kanë humbur jetën tetë persona, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave që gazetari i AA-së i ka siguruar nga forcat e sigurisë të Nigerisë, mbrëmë dy gra terroriste në shtetin Borno të Nigerisë kanë hedhur veten në erë.
Si pasojë e sulmeve tetë persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur. Përgjegjësinë për sulmin deri më tani nuk e ka marrë askush, ndërkohë që dyshohet të jetë kryer nga organizata terroriste Boko Haram. Organizata javën e kaluar kishte sulmuar një bazë ushtarake në shtetin Yobe, ku si pasojë humbën jetën gjashtë ushtarakë, prej të cilëve një i graduar.
Ekspertët vlerësojnë se pas operacioneve të ushtrisë nigeriane në rajonin e malit Sambisa në verilindje të vendit Boko Haram është dobësuar dhe se është duke zhvilluar luftë për mbijetesë.
Boko Haram, e cila është shfaqur në fillim të viteve 2000 dhe e cila filloi me aktivitete të dhunës masive që nga viti 2009 pas vdekjes së liderit Muhammed Yusuf duke qenë në arrest, deri më sot ka shkaktuar vdekjen e afër 17 mijë personave. Organizata nga viti i kaluar aktivitetet e saj i ka zgjeruar edhe në shtetet fqinje, Kamerun. Benin, Çad dhe Niger.