Burhan Sansarlıoğlu
14 Shkurt 2017•Përditësim: 15 Shkurt 2017
STAMBOLL (AA) - BURHAN SANSARLIOĞLU - Adresa e re e paqartësisë në Evropë është bërë Franca. Para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në periudhën prill-qershor, euroskepticizmi i Marine Le Pen, lideres së Frontit Nacional dhe kandidates së spikatur të së djathtës ekstreme, ka hapur rrugën për shqetësime në Evropë.
Në muajt prill, maj dhe qershor, në Francë do të bëhet e ditur qeveria e re. Fillimisht, përmes dy raundeve më 23 prill dhe 7 maj do të caktohet presidenti, ndërsa më pas, përmes zgjedhjeve që do të mbahen më 11 dhe 18 qershor, do të caktohen deputetët. Kandidatja e shquar e së djathtës ekstreme dhe liderja e Frontit Nacional, Le Pen, është bërë shkaktare e paqartësisë së re në Evropë.
Krahas rritjes së së djathtës ekstreme në shtete si Austria, Belgjika, Holanda dhe Italia dhe vendimit të Britanisë për largim nga Bashkimi Evropian, edhe e djathta ekstreme franceze e kryesuar nga Le Pen ka filluar të tërheq vëmendje në Evropë. Euroskepticizmi i Le Pen ka zënë vend të rëndësishëm në platformën parazgjedhore, ndërkohë që premtimi se Franca do të përshëndetet me euron për të kaluar në frangun francez ka nxitur ngritjen e zërave.
Parashikimet zgjedhore dhe sondazhet e opinionit publik tregojnë se Le Pen do të jetë fituese në raundin e parë.
Brian Lawson, Këshilltari Ekspert i kompanisë IHS Markit, në një prononcim për AA theksoi se gjasat që euroja të mbijetojë nëse Franca vendos ta braktisë atë do të jenë të vogla. Sipas Lawson, Fronti Nacional do të jetë kandidat serioz edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve, por partitë në Francë çdo herë bashkohen dhe formojnë bllok kundër Frontit Nacional dhe kjo ndikon negativisht te kjo parti.
Lawson vë në pah se në rast të moskrijimit të një blloku të këtillë kundër Frontit Nacional, atëherë mund të rritet rreziku që Franca të largohet nga BE-ja. Duke tërhequr vëmendjen drejt referendumit Brexit në Britani dhe fitores së Donald Trump në zgjedhjet në SHBA, Lawson thotë se gjasat që Franca të ndahet nga unioni aktualisht janë të vogla, porse kjo gjë nuk është e pamundur.
Duke theksuar se Britania nuk bën pjesë në Eurozonë, Lawson parashikon që largimi i mundshëm i Francës nga BE-ja do të jetë ndryshe nga Britania dhe se do të ketë ndikim më të madh mbi BE-në.
"Rëniet e dukshme dhe prishjet në institucionet evropiane mund të ndikojnë në mënyrë drastike në rritjen e kamatave. Kjo gjendje mund t'u shkaktojë humbje serioze bankave, kur merren parasysh pasuritë dhe borxhet e bankave. Në të njëjtën kohë, kjo dëmton kërkesat për kredi dhe ndikon negativisht në botën e biznesit dhe stabilitetin financiar", vlerëson Lawson.
Lawson më tej thotë se paqartësia e skajshme mund t'i shkaktojë dëme mjedisit biznesor në Evropë dhe të hapë rrugën për reduktimin e investimeve, duke e theksuar mundësinë e rritjes së streseve financiare të cilat do të mund të burojnë nga bankrotimet dhe dobësimet e kompanive.
"Macron në epërsi"
Holger Schmieding, kryeekonomisti në Berenberg, nga ana tjetër, thotë se ka një rrezik që zgjedhjet që do të mbahen në Francë këtë vit t'i fitojë Le Pen. Sipas tij, epërsia aktualisht i takon kandidatit të pavarur Emanuel Macron, pasi paraprakisht në pah dolën akuza për korrupsion ndaj familjes së kandidatit të qendrës së djathtë franceze, François Fillon. Ai është i mendimit se Macron do të mund të sigurojë epërsi ndaj Le Pen në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Schmieding thekson se pas skandaleve të Fillon, ai që do të përfitojë nga kjo do të jetë Macron dhe jo Le Pen. Duke rikujtuar diskursin euroskeptik dhe kundër Eurozonës të Le Pen, Schmieding vlerëson që madje edhe sikur Le Pen t'i fitonte zgjedhjet presidenciale, Fronti Nacional nuk do të mund të sigurojë shumicën në zgjedhjet parlamentare në qershor dhe rrjedhimisht nuk do të mund ta konkretizojë retorikën e saj euroskeptike.