Ayhan Şimşek
14 Shkurt 2017•Përditësim: 14 Shkurt 2017
BERLIN (AA) – Këshilli Islamik i Gjermanisë, njëra nga ombrellat më të mëdha të organizatave me prefiksin musliman, ka shprehur shqetësimin për numrin rekord të sulmeve të cilat në shënjestër kanë pasur xhamitë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Këshillit Islamik, Burhan Kesici, tha se në vitin 2016 janë regjistruar 91 sulme mbi xhamitë, që paraqet një tregues për rritjen e ndjenjave anti-islame në Gjermani, për çka ka apeluar që qeveria dhe liderët politikë të ndërmarrin veprime duke i dënuar të njëjtat.
“Nëse u flasin njerëzve se muslimanët nuk paraqesin kërcënim por janë pjesë e shoqërisë, nëse u thonë njerëzve se xhamitë janë vende adhurimi, atëherë do të ketë më pak animozitet kundrejt islamit”, tha Kesici për AA.
Vitin e kaluar Gjermania ka qenë dëshmitare e rritjes së islamofobisë dhe elementeve tjera anti-refugjatë, të cilat në masë të madhe janë inicuar nga propaganda e të dhjathtës ekstreme dhe partive populiste të cilat kanë përfituar nga kriza me refugjatët.
Në vitin 2016 u sulmuan 91 xhami, flasin të dhënat statistikore të policisë të bëra publike të hënën, në bazë të të cilave, dhuna anti-muslimane shënon rritje të konsiderueshme.
Të dhënat nga viti 2015 flasin se janë raportuar 75 sulme të tilla, ndërsa në vitin 2014 numri i sulmeve me karakter të njëjtë ka qenë rreth 60 sosh.
Përkundër shtimit të sulmeve në shënjestër të të cilave kanë qenë xhamitë, në të shumtën e rasteve policia nuk ka arritur të identifikojë sulmuesit.
Në 91 sulmet kundër xhamive të kryera në vitin 2016, policia ka mundur të identifikojë të dyshuar për vetëm në 12 raste, nga të cilët aktualisht vetëm një i dyshuar është nën arrest.
Kesici kritikoi autoritetet se nuk janë të përkushtuar në kapjen e sulmuesve, gjë e cila sipas tij inkurajon sulme të reja.
Me një popullatë të përgjithshme prej 81.8 milionë banorë, Gjermania është shteti i dytë në Evropën Perëndimore për nga numri i komunitetin musliman që jeton në të, menjëherë pas Francës e cila radhitet e para.