Hajer M'tırı
12 Dhjetor 2016•Përditësim: 12 Dhjetor 2016
PARIS (AA) - Gjyqi kundër drejtoreshës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të nisë të hënën për neglizhencë, në një rast korrupsioni tetë vjet më parë, në kohën kur ajo ishte ministre e Tregtisë dhe Financave të Francës, raporton Anadolu Agency (AA).
Christine Lagarde do të duhet të shpjegojë për gjyqtarët rolin e saj në lidhje me pagesën e 400 milionë eurove të shtetit (560 milion dollarë) manjatit Bernard Tapie, si pjesë e një mosmarrëveshje të gjatë mes biznesmenit dhe bankës pjesërisht shtetërore Credit Lyonnais rreth shitjes së kompanisë së tij Adidas në vitin 1993.
"Sjellja e Lagarde rrjedh jo vetëm nga pakujdesia e diskutueshme dhe nxitimi, por edhe nga një ndërthurje e gabimeve të cilat, për nga natyra e tyre, numrat, dhe serioziteti, tejkalojnë nivelin e thjeshtë të neglizhencës", ishte përfundimi i gjyqtarëve në fund të hetimit të tyre.
Lagarde ka mohuar akuzat e neglizhencës mbi rolin e saj gjatë vitit 2008 të marrëveshjes shtetërore me Tapie, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të atëhershëm Nicolas Sarkozy.
"Neglizhenca është vepër e pa qëllimshme. Mendoj se ne të gjithë jemi pak të pakujdesshëm ndonjëherë në jetën tonë. Unë kam bërë punën time më së miri që kam mundur, brenda kufijve që i dija", tha ajo për televizionin France 2 të dielën.
Lagarde (60), u bë drejtoreshë e FMN-së në vitin 2011 dhe u emërua për një mandat të dytë në shkurt të këtij viti. Ajo është gruaja e parë që ushtron detyrën e kreut të organizatës së themeluar në vitin 1944.
Ajo është duke u gjykuar nga Gjykata e Drejtësisë të Republikës, gjykata speciale e Francës, e themeluar në vitin 1993, e cila shqyrton akuzat kundër ministrave të akuzuar për sjellje të pahijshme.
Nëse shpallet fajtore, Lagarde mund të përballet me dënim deri në një vit burg dhe me 15 mijë euro gjobë. Ajo gjithashtu rrezikon të humbasë kryesimin e FMN-së. Gjyqi është planifikuar të zgjasë më së voni deri në 20 dhjetor.