Ekip
17 Dhjetor 2016•Përditësim: 18 Dhjetor 2016
BERLIN (AA) – Fabrice Leggeri, drejtori ekzekutiv i agjencisë kufitare Frontex tha se deri tani këtë vit në Bashkimin Evropian kanë hyrë rreth 350.000 migrantë, raporton Anadolu Agency (AA).
Leggeri të shtunën është cituar nga mediat gjermane, ndërsa theksoi se rreth 180.000 mijë kanë arritur nga Turqia dhe Mesdheu lindor, ndërsa rreth 170.000 përmes rrugës së Mesdheut qendror nga Libia dhe Egjipti.
Bëhet fjalë për një rënie të madhe në krahasim me vitin 2015, kur në Kontinentin e Vjetër arritën mbi një milion migrantë.
Leggeri theksoi se marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë ka ulur numrin e migrantëve që arrijnë nga lindja, por migracioni nga Afrika Veriore është rritur për 30 për qind.
Organizata Ndërkombëtare për Migracion muajin e kaluar shpalosi një raport, ku konfirmohej se në vitin 2016 gjatë kalimit të Mesdheut kanë humbur jetën 4.646 persona, që është për 1.000 më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.