Ekip
14 Dhjetor 2016•Përditësim: 14 Dhjetor 2016
BERLIN (AA) – Një grup gjerman për ndihmë të refugjatëve pohon se sot rreth 50 shtetas afganë do të deportohen në vendin e tyre pasi u është refuzuar azili në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kjo organizatë thekson se grupi i azilantëve do të deportohet të mërkurën në mbrëmje dhe se do të dërgohen në Afganistan nga aeroporti në Frankfurt.
Qeveria gjermane refuzoi të konfirmojë lajmin për deportimin, duke theksuar se masat e tilla asnjëherë nuk publikohen në opinion.
Gjermania deri tani ka deportuar shumë pak afganë. Në vend të kësaj, ka këmbëngulur që t’i bind vullnetarisht të kthehen në shtëpi duke u ofruar stimulim financiar mbi kthimin e tyre.
Paradokohe qeveria bëri të ditur se do të ashpërsojë masat për refuzimin e azilkërkuesve ku një pjesë e madhe do të deportohet.
Në Gjermani vitin e kaluar arritën rreth 890.000 migrantë dhe refugjatë, shumica nga vatrat e luftës në Siri, Irak dhe Afganistan.