Ayşe Sarıoğlu
23 Nëntor 2016•Përditësim: 24 Nëntor 2016
ANKARA (AA) - Grupi shiit Husi në Jemen dhe aleatët e tij, kanë shkelur armëpushimin 48 orësh më shumë se 260 herë, sipas një deklarate të publikuar mërkurën nga Ambasada e Arabisë Saudite në Ankara, raporton Anadolu Agency (AA).
Të shtunën, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite deklaroi një armëpushim 48 orësh në Jemen. Zyrtarët drejtues të koalicionit ndërkombëtar thanë se armëpushimi i arritur do të mund të zgjatet automatikisht nëse kushtet do të respektohen nga grupimi Husi dhe forcat aleate besnike të ish-presidentit të Jemenit, Ali Abdullah Salih.
Të hënën, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi përfundimin e armëpushimit dhe thanë se kjo ka ardhur si pasojë e shkeljes së tij nga grupimi Husi dhe aleatët e tyre.
"Militantët e grupit Husi nuk kujdesen për të ardhmen e Jemenit apo rreth krizës humanitare që po kalon vendi", deklaroi Ambasada e Jemenit në Ankara.
"Ata kuptojnë vetëm gjuhën e dhunës"
"Shkeljet nga militantët Husi të armëpushimit janë një vazhdimësi e përpjekjeve të tyre për të minuar qeverinë legjitime të Jemenit", thuhet në deklaratë. Në vijim të deklaratës së saj ambasada ka pohuar se grupi Husi dhe aleatët e tij me kryerjen e veprimeve "brutale dhe mizore" në Jemen kanë shkelur konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
"Rebelët e grupit Husi dhe aleatët e tyre kanë shkelur plot 260 herë armëpushimin, 205 prej të cilave kanë ndodhur në territorin e Jemenit dhe 55 të tjera në formën e sulmeve ndaj territorit të Arabisë Saudite" thuhet në njoftim.
Gjashtë përpjekje të mëparshme për të arritur një armëpushim në Jemen po ashtu kanë dështuar, duke përfshirë edhe një armëpushim 3 ditorë në muajin tetor i cili u prish menjëherë pasi hyri në fuqi.
Jemeni i varfër ka qenë nën destabilitetin politik dhe ekonomik, ndërkohë në vitin 2014 grupimi shiit Husi dhe mbështetësit e tyre pushtuan kryeqytetin Sana dhe disa qytete të tjera në vend.
Konflikti u përshkallëzua në mars të vitit të kaluar, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë nisën një ofensivë të madhe nga ajri me qëllim të penguar përparimin ushtarak Husi. Vendimi për ofensivën erdhi me kërkesë të qeverisë legjitime të Jemenit.
Mijëra njerëz thuhet se janë vrarë në konfliktin e armatosur deri më sot në Jemen. Më shumë se gjysma e tyre janë civilë.