Bekim Laci
17 Maj 2017•Përditësim: 18 Maj 2017
SHKUP (AA) - Komesioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johanes Hahn dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, kanë përshëndetur të mërkurën vendimin e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, që të mandatojë kreun e LSDM-së, Zoran Zaev për formimin e Qeverisë së re të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në komunikatën e përbashkët, dy zyrtarët e lartë evropian, theksojnë se shpresojnë kjo frymë konstruktive do të vazhdojë të mbizotërojë edhe në të ardhmen në mënyrë që vendi më në fund të dalë nga kriza politike.
“Presim tani një formim të shpejtë të qeverisë e cila do të angazhohet për zbatimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjes së Përzhinës dhe në prioritetet e reformave urgjente”, thuhet mes tjerash në deklaratë.
Hahn dhe Mogherini, u bëjnë thirrje të gjitha partive parlamentare të lënë anash ndasitë dhe të kthejnë vendin në rrugën drejt integrimeve Euro-Atlantike. “Kjo është ajo të cilën e dëshirojnë dhe meritojnë qytetarët”, thuhet në komunikatë.