Ekip
09 Qershor 2022•Përditësim: 11 Qershor 2022
Një helikopter është rrëzuar sot në zonën e lavës në Hawai dhe të gjashtë personat në bord janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga vendi ndërsa dy prej tyre janë në gjendje të rëndë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Cyrus Johnasen, nga zyra e informacionit publik për Qarkun Hawai tha se në helikopterin turistik ishin piloti dhe 5 pasagjerë. Ai tha se piloti ishte bllokuar, por më vonë u nxorr dhe ështe në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme. Një vajze 18-vjeçare raportohet në gjendje të rëndë dhe të përkeqësuar. Gjendja e 4 personave të tjerë raportohet e mirë. Nuk bëhet i ditur identiteti i tyre.
Raporti fillestar erdhi rreth orës 17:00 sipas kohës lokale se një helikopter është rrëzuar pranë majës jugore të ishullit të madh, tha Johnasen. Vendi ishte i paarritshëm me automjet, kështu që Departamenti i Zjarrfikësve të Hawait dërgoi dy helikopterë për të transportuar viktimat në ambulancat që prisnin në rrugët më të afërta.
Johnasen tha se është e paqartë nëse të gjashtë të aksidentuarit ishin transportuar në spitale ose nëse reaguesit e urgjencës po vazhdonin vetë trajtimin në ambulanca.
Deri më tani nuk ka asnjë informacion se çfarë e shkaktoi aksidentin.