Ahmet Dursun
22 Qershor 2019•Përditësim: 22 Qershor 2019
I ngarkuari me punë në Ambasadën e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Teheran është thirrur në Ministrinë e Jashtme të Iranit, pas një informacioni se fluturakja amerikane pa pilot, të cilën e rrëzoi ushtria iraniane të enjten, ka fluturuar nga një bazë e EBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
MPJ e Iranit në kumtesën e saj thekson se i ngarkuari me punë në Ambasadën e EBA-së është thirrur në ministri në lidhje me rastin e avionit amerikan pa pilit e cila "ka shkelur hapësirën ajrore të Iranit".
Po ashtu theksohet se të ngarkuarit i është kumtuar se në shkeljen e hapësirës ajrore të Iranit pjesë të fajit ka dhe vendi i tij dhe kështu kanë shprehur pakënaqësinë e Iranit.
"Vendet e rajonit të cilat objektet e tyre ushtarake ua japin në përdorim forcave të huaja do t'i konsiderojmë përgjegjës për të gjitha llojet e sulmit ndaj tokës, ajrit dhe detit iranian", thuhet në kumtesë.
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi të enjten se kishte rrëzuar një avion pa pilot të zbulimit të SHBA-së. Deklarata theksonte se droni i tipit RQ-4 Global Hawk u rrëzua pasi hyri në hapësirën ajrore iraniane në jug të vendit.
Tensionet midis Iranit dhe SHBA-së kanë qenë në rritje që nga viti i kaluar, pas tërheqjes amerikane nga marrëveshja ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit. Marrëdhëniet u tensionuan më tej pasi Washingtoni në listën e organizatave terroriste vendosi forcat e armatosura iraniane, gjegjësisht Gardën Revolucionare.
Trump më pas tha se Irani bëri një gabim të madh dhe se droni ishte në hapësirën ajrore ndërkombëtare.