Selman Tür
09 Tetor 2018•Përditësim: 10 Tetor 2018
SELMAN TÜR
PALU (AA) - Indonezianët të cilët i mbijetuan tërmetit dhe cunamit, vazhdojnë kërkimet për anëtarët e familjeve që kanë humbur nën rrënojat në ishullin Sulawesi, shkruan Anadolu Agency (AA).
Ahmad Latama, 71 vjeç, i mbijetoi tërmetit shkatërrues dhe cunamit ndërsa ende kërkon motrën dhe dhëndërrin. Ai nuk harron ngjarjet e 28 shtatorit kur ky ishull indonezian u godit nga një tërmet që mori të paktën 2.002 jetë.
Indonezianët edhe 10 ditë pas tragjedisë së madhe nuk heqin dorë nga kërkimi i trupave të më të dashurve të tyre. Një nga to është Latama i cili ia doli të mbijetonte së bashku me gruan dhe fëmijët.

Atë ditë, siç tha ai, ishte në shtëpi me gruan, fëmijët, motrën dhe dhëndërrin.
"Gruaja ime ishte akoma në shtëpi, isha duke pritur të dilte. Në ato momente ndodhi cunami dhe mori gjithë familjen time. Uji mori gjithçka", kujton Latama.
Më vonë, ata i thanë se gruaja dhe fëmijët ishin shpëtuar dhe ishin në vend të sigurtë. Të gjithë ishin në malin e afërt. Pas gjetjes së gruas dhe fëmijëve të tij, Latama vazhdoi kërkimet për motrën dhe dhëndërrin.
Ai mësoi se dhëndërri kishte vdekur por nuk e kishte gjetur ende. Për momentin, theksoi ai, prioritet është gjetja e ushqimit.
"Ne kemi nevojë për ushqim, të gjitha shtëpitë përgjatë bregut janë shkatërruar. Nuk kam nevojë për asgjë materiale, vetëm që familja ime të jetë mirë dhe të mos mbeten të uritur. Kjo është pasuria ime më e madhe", tha Latama.