Tayfun Salcı
27 Prill 2017•Përditësim: 27 Prill 2017
LONDËR (AA) - Sekretari britanik i Punëve të Jashtme, Boris Johnson, ka deklaruar se intervenimi ushtarak në Korenë e Veriut nuk është "alternativë e mirë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për transmetuesin publik të Britanisë, BBC, Johnson ka thënë se alternativa e intervenimit ushtarak në Korenë e Veriut në këtë fazë është larg.
Johnson është shprehur se kërcënimi që përbën Koreja e Veriut është rritur në vitet e fundit. "Kërcënimi bërthamorë i Koresë së Veriut që njerëzve u duket komike, është shndërruar në një gjendje shumë të vërtetë dhe të rrezikshme. Duhet të merremi me këtë. Të gjithë fqinjët e Koresë së Veriut e ndiejnë intensivisht këtë kërcënim dhe SHBA-të kanë të drejtë që rrisin nivelin e seriozitetit të këtij problemi", ka thënë Johnson.
Ndërkaq, duke folur për deklaratën e administratës amerikane se "të gjitha alternativat lidhur me Korenë e Veriut janë në tryezë", Johnson ka vlerësuar se "Kam dyshime në lidhje me alternativat ushtarake. Njëlloj mendojnë edhe të gjithë ekspertët me të cilët kam biseduar. Sipas meje, alternativat ushtarake nuk janë të mira".
Johnson ka tërhequr vëmendjen se kryeqyteti i Koresë së Jugut, Seuli, do të mund të ishte shënjestër e lehtë e një sulmi hakmarrës të Veriut në rast të ndonjë intervenimi, duke shtuar se kjo gjë paraqet rrezik tejet serioz.
Ai ka rekomanduar se rruga më e mirë që mund të ndiqet lidhur me Korenë e Veriut është "ushtrimi i presionit ndaj Phenianit në mënyrë të qetë dhe të hapur veçanërisht duke bashkëpunuar me Pekinin. Ai ka theksuar se dëshiron që edhe SHBA-të të ndjekin këtë rrugë.
Më tej shefi i diplomacisë britanike ka theksuar nevojën që të mundësohet që Koreja e Veriut të shohë se mund të ketë të ardhme të mirë ekonomike në qoftë se heq dorë nga kërcënimi dhe pastrohet nga armët bërthamore. Megjithatë, siç është shprehur Johnson, "gjendja aktualisht është e tensionuar".
Ai ka shtuar se sot në SHBA ku do të shkojë për vizitë do të japë përpjekje që në Kombet e Bashkuara të arrihet konsensus ndërkombëtar për ushtrimin e presionit ndaj Koresë së Veriut.
Johnson ka kritikuar edhe liderin e Partisë Laburiste në Britani, Jeremy Corbyn, për deklaratat e tij në lidhje me çarmatosjen bërthamore dhe premtimin për zgjedhjet që do të mbahen më 8 qershor se do të ndalojë programin e nëndetëses bërthamore të Britanisë Trident.
Ai ka theksuar se ardhja e mundshme e Corbynit në postin e kryeministrit duke pasur për qëllim lënien e njëanshme të armëve bërthamore teksa Koreja e Veriut shton me shpejtësi armatimin bërthamor, paraqet rrezik.