İdris Okuducu
20 Korrik 2017•Përditësim: 20 Korrik 2017
ERBIL (AA) - Kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për operacion ushtarak për rimarrjen e qytetit turkmen Tel Afar në Irak nga organizata terroriste DEASH, ka njoftuar një zyrtar lokal i qytetit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për operacionet që do të ndërmerren për çlirimin e Tal Afarit nga DEASH-i. Operacioni do të zhvillohet nga disa anë dhe do të fillojë për një kohë të shkurtër", ka thënë për AA Abulal Abbas, zyrtar i administratës lokale të qytetit.
Duke theksuar se tashmë është marrë vendimi se cilat forca do të marrin në operacion dhe se është bërë delegimi i detyrave, Abbas tha se në operacion nuk do të marrin pjesë forcat e grupit Hashdi Shabi, që mbështeten nga Irani dhe njihen për qasjen sektariane.
Ai tha se ekzistojnë dy arsyje që Hashdi Shabi nuk merr pjesë në operacion.
"Arsyeja e parë është se nuk duam që askush të merr hakmarrje nga askush gjatë operacionit dhe, e dyta, forcat e koalicionit ndërkombëtar nuk do t'i mbështesin forcat ushtarake të Irakut në qoftë se në operacion merr pjesë Hashdi Shabi. Për këto dy arsye, Hashdi Shabi nuk do të jetë pjesë e operacionit", tha Abbas.
Abbas njoftoi se në qytetin e Tal Afarit dominojnë militantë të huaj, duke theksuar se aty gjenden të pozicionuar afër një mijë militantë çeçenë dhe nga disa shtete të Evropës.
Ai po ashtu theksoi se DEASH ka filluar me përgatitje për të rezistuar dhe për ta mënjanuar operacionin, duke thënë se militantët e saj kanë vendosur kurthe shpërthyese nëpër shtëpitë dhe ndërtesat në Tal Afar.
Një ditë më parë, edhe Xhabbar Javer, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Çështjeve të Peshmergas pranë Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut njoftoi se edhe forcat Peshmerge nuk do të marrin pjesë në operacion.
Ndryshe, qyteti Tal Afar, që ndodhet 82 kilometra në jug të kufirit me Turqinë dhe 63 kilometra në perëndim të Mosulit, u pushtua nga organizata terroriste DEASH më 16 qershor të vitit 2014.