Hale Türkeş
25 Prill 2018•Përditësim: 25 Prill 2018
ANKARA (AA) – Kompania Kombëtare Petrokimike e Iranit (NPC) dhe Federata e Industrisë Kimike dhe e Naftës e Kinës (CPCIF) nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të ndërtuar një park petrokimik në Iran nga kompanitë kineze, transmeton Anadolu Agency (AA).
NPC përmes një njoftimi bëri të ditur se kryetari i saj Reza Norouzzadeh dhe kreu i CPCIF-it, Li Shousheng, të hënën nënshkruan marrëveshjen në Teheran të Iranit.
Drejtori i investimeve i NPC-së, Hossein Alimorad, tha se marrëveshja u nënshkrua pas një marrëveshjeje të vitit 2015 midis Iranit dhe Kinës për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe në sektorin e energjisë, veçanërisht atë të petrokimikëve.
“NPC dhe CPCIF do të synojnë të rrisin marrëdhëniet dypalëshe petrokimike midis Iranit dhe Kinës”, tha Alimorad, duke shtuar se projekti do të ndërtohet “pas konsideratave të përpikta nga të dy palët”.
Alimorad shtoi se NPC, si kujdestari i vetëm i zhvillimit të industrisë petrokimike në Iran, do të sigurojë tokën më të madhe për ndërtimin e parkut nga kompanitë kineze.
Qeveria e Republikës Islamike të Iranit zotëron NPC-në, një degë të Ministrisë së Naftës të Iranit.
CPCIF është një organizatë joqeveritare, jofitimprurëse e përbërë nga kompani, institute, shoqata sektoriale dhe shoqata lokale në industrinë e naftës dhe kimikateve në baza vullnetare, sipas një deklarate në faqen e tyre të internetit.
“Është organizata ombrellë që ofron shërbime dhe zbaton disa funksione administrative brenda kësaj industrie në nivel kombëtar”, thuhet në deklaratë.