Ekip
25 Shtator 2021•Përditësim: 26 Shtator 2021
Islandezët u janë drejtuar kutive të votojnë për zgjedhjet e përgjithshme të dominuara nga ndryshimet klimatike, me një numër të paparë partish politike që kanë gjasa të fitojnë vende parlamentare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sondazhet tregojnë se nuk do të ketë fitues të vetëm, gjë e cila do të çojë në komplikimin e negociatave për krijimin e një qeverie koalicioni.
Numër rekord prej nëntë partish mund të kalojnë pragun e nevojshëm prej pesë për qind për të siguruar vende në parlamentin e Islandës, Althing. Partitë dominuese përfshijnë Partinë Socialiste, e cila premton të shkurtojë javën e punës dhe të nacionalizojë industrinë e peshkimit të Islandës.
Pritet të ketë pjesëmarrje të lartë, pasi një e pesta e votuesve me të drejtë vote kanë hedhur tashmë votat në mungesë.
Ndryshimi i klimës është në mesin e shqetësimeve kryesore të votuesve në Islandë, një vend ishull vullkanik i mbushur me akullnajë me rreth 350.000 banorë në Atlantikun e Veriut.
Vera jashtëzakonisht e ngrohtë sipas standardeve islandeze, 59 ditë me temperaturë mbi 20 gradë Celsius, dhe tkurrja e akullnajave ndikuan në nxitjen e agjendës politike të ngrohjes globale.
Sondazhet tregojnë një mbështetje të fortë për partitë e majta, të cilat premtojnë se do të ulin emetimet e karbonit për më tepër sesa Islanda është e angazhuar sipas marrëveshjes së klimës në Paris. Vendi është zotuar të bëhet neutral ndaj karbonit deri në vitin 2040, një dekadë përpara shumicës së vendeve të tjera evropiane.
Qeveria aktuale përbehet nga një koalicion prej tri partive që shtrijnë spektrin politik nga e majta në të djathtë dhe e udhëhequr nga kryeministrja Katrin Jakobsdottir e Partisë së Gjelbër të majtë. Ajo u formua në vitin 2017 pas disa viteve të paqëndrueshmërisë politike.
Jakobsdottir mbetet një kryeministre e njohur, por sondazhet sugjerojnë se partia e saj mund të mos dalë mirë, duke i dhënë fund koalicionit të vazhdueshëm.
"Vendi po përballet me vendime të mëdha ndërsa po largohemi nga pandemia", tha Jakobsdottir gjatë debateve televizive të premten në mbrëmje, ku udhëheqësit e partive u zotuan t'i japin fund mbështetjes së Islandës tek nafta, kurse shumica shprehën disponimin për të rritur taksat për të pasurit.