Kerem Kocalar
01 Nëntor 2016•Përditësim: 01 Nëntor 2016
GAZIANTEP (AA) - Shkolla e mesme "Ahmet Selim Mulla" e cila përdorej nga organizata terroriste si qendër torture, pas çlirimit të Jarabulusit në saje të ofensivës "Mburoja e Eufratit" është kthyer përsëri në shkollë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të një projekti të Bashkisë Gaziantep në Turqi, punimet për rikonstruksionin e shkollës janë drejt fundit dhe ajo do të fillojë të presë nxënësit e parë.
Kthimi në normalitet i situatës në qytetin sirian Jerabulus, pas ofensivës së ushtrisë turke në bashkëpunim me Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS) vazhdon me shpejtësi. Pas lajmeve të mira në jetën sociale dhe ekonomike, tashmë edhe arsimi po i kthehet normalitetit.
Zilja për fillimin e mësimit filloi në ditët e kaluara në këtë qytet, pas restaurimit të shkollës "Sandok Handavi", nga bashkia turke Keçiören. Ndërkohë kjo është shkolla e dytë që bëhet funksionale.
Shkolla ishte përdorur si një burg në brendësi të cilës kishte edhe një dhomë për torturat. Ndërsa në kopshtin e shkollës është vendosur edhe një foto e Ömer Halisdemir, oficerit i cili ra dëshmorë më 15 korrik, gjatë tentativës për grusht shteti në Turqi, gjë që simbolizon të gjithë të rënët si në Turqi ashtu edhe në Siri.
Koordinatori i Bashkisë Gaziantep, Aburrahman Kocaaslan thotë për AA se shkolla ishte më e madhja në këtë qytet. Me 21 klasa shkolla kishte një kapacitet prej 800 nxënësish. Ai ka theksuar se rikonstruksioni i saj ka një kuptim të veçantë pasi kjo godinë ishte përdorur për tortura në kohën e organizatës terroriste DEASH.
Dhoma e torturës u kthye në klasë
Duke theksuar se me një ekip prej 60 personash ata punojnë prej 23 ditësh për rikonstruksionin e kësaj godine, Kocaaslan është shprehur: "Kur hymë për herë të parë këtu pamë një gjendje të mjerueshme. Kryetarja e Bashkisë së Gaziantepit, Fatma Şahin ishte nismëtarja për rikonstruksionin e kësaj shkolle. Normalisht nuk mund të qëndronte pa bërë gjë kur pa gjendjen e saj. Shpresoj që brenda një jave ajo do të funksionojë si shkollë dhe do të presë nxënësit".
Kocaaslan në vijim tha se një dhomë e madhe e shkollës ishte përdorur për tortura nga DEASH-i. "Në çdo cep të saj kishte shenja gjaku. Kishte vende të improvizuara për varje. Por ne e pastruam e rregulluam dhe tashmë ajo do të kthehet në një klasë. Ky vend ka qenë dëshmitarë për shumë tortura, por tashmë do të mbushet më fëmijë dhe do të jetë një qendër mësimi", tha ai.