Servet Günerigök
06 Nëntor 2019•Përditësim: 06 Nëntor 2019
Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së do të zhvillojë seancat e para publike në kuadër të iniciativës për impiçment ndaj presidentit Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).
Adam Schiff, kryetari i komitetit, tha në Twitter se dëshmitarë në seancën që do të zhvillohet më 13 nëntor do të jenë William Taylor, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, dhe George Kent, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Ndërkaq, Marie Yovanovitch, ambasadore në Ukrainë deri në muajin maj kur u largua nga detyra, do të dëshmojë më 15 nëntor.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve filluan një hetim për impiçment kundër Trump-it më 24 shtator pas pretendimeve se Trump ka kërkuar ndihmë nga një lider i huaj për të hetuar rivalin politik Joe Biden, i cili do të garojë në zgjedhjet e vitit 2020.
Sipas një telefonate të 25 korrikut të bërë publike nga një informator anonim, Trump në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky të hapte një hetim për korrupsion ndaj ish-presidentit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, me pretendime të pakonfirmuara.
Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësusve votoi një rezolutë për të formalizuar procedurat në procesin e impiçmentit.
Rezoluta përmban një sërë rregullash që do të rregullojnë procedurat e ardhshme. Në një reagim kundër akuzave republikane për mungesë transparence, masa zhvendos seancat dëgjimore në të ardhmen në ekranet e televizionit kombëtar dhe autorizon publikimin e transkripteve të seancave për publikun.
Trump dhe mbrojtësi i tij gjithashtu do të lejohen të marrin pjesë në proces gjyqësor, duke u dhënë atyre mundësinë për të kërkuar dëshmitarë.