Barry Ellsworth
19 prill 2023•Përditësim: 20 prill 2023
Rreth 159 mijë punonjës të qeverisë federale në Kanada hyjnë në grevë të mërkurën, njoftoi Aleanca e Shërbimit Publik të Kanadasë (PSAC), raporton Anadolu.
Sindikata njoftoi se do të nisë grevën pas negociatave të dështuara me qeverinë, kryesisht për pagat. Greva mund të ndërpresë seriozisht funksionimin e shërbimeve qeveritare.
Shumica e punonjësve në grevë fitojnë nga 40.000 deri në 65.000 dollarë në vit. Kërkesa e fundit publike e sindikatës përfshinte rritje retroaktive të pagave prej 4,5 për qind për 2021 dhe 2022 si dhe për 2023. Qeveria ofroi gjithsej 9 për qind për tre vjet.
"Ne jemi në tryezë sepse ende shpresojmë të arrijmë qëllimin. Anëtarët tanë janë të gatshëm të luftojnë për një marrëveshje kolektive të mirë, të denjë dhe të drejtë", tha presidenti i PSAC, Chris Aylward.
Për shkak të grevës, disa sektorë dhe zyra nuk do të funksionojnë, si dhe do të ketë vonesa në përpunimin e kërkesave dhe shërbimeve në departamentin e pasaportave.
Probleme do të ketë edhe në shërbimet konsullore, si dhe financimin e partnerëve kanadezë dhe ndërkombëtarë në mbështetje të uljes së varfërisë, paqes dhe sigurisë dhe çështje të tjera globale.