Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioneri Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johanes Hahn, ka njoftuar pakon e zgjerimit.
Hahn në fjalimin e tij tha se është shumë i kënaqur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përqafuar mundësinë e ofruar për Ballkanin Perëndimor.
"Shqipëria po ndjek reforma, sidomos një transformim të madh të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë një vlerësim të paprecedent të gjyqtarëve dhe prokurorëve", tha ai.
"Maqedonia e Veriut jo vetëm që vazhdoi axhendën e saj ambicioze të reformës, por gjithashtu arriti një marrëveshje historike me Greqinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë për emrin", tha Hahn, duke theksuar se bashkë me marrëveshjen e arritur me Bullgarinë, Shkupi është bërë shembull për gjithë rajonin se si të forcohen marrëdhëniet e mira fqinjësore.
"Është një shembull i shkëlqyer për vendet e tjera dhe është dëshmi për fuqinë e tërheqjes së perspektivës evropiane. Të dy vendet kanë arritur të kryejnë reforma", potencoi Hahn,
Hahn theksoi se komisioni rekomandon që Këshilli të fillojë negociatat e pranimit menjëherë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
"Për të mbetur të besueshëm në procesin e bazuar në merita, BE tani duhet të qëndrojë në angazhimin e saj dhe të përgjigjet në mënyrë të qartë dhe pozitive kur vendet përmbushin detyrimet e tyre", ka theksuar Hahn.
Komisoneri Hahn foli edhe për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar se palët duhet të kontribuojnë në krijimin e mjedisit të favorshëm për përfundimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese.
"Në këtë drejtim, ata duhet të shmangin çdo veprim që shihet si provokim nga ana tjetër", tha ai.
Kosova në qendër të vëmendjes politike duhet të vendos përparimin në rrugën evropiane, deklaroi Hahn.
"Përparimet e bëra në disa reforma kyçe të lidhura me BE-në u lanë në hije nga tarifat për importet nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, të cilat duhet të revokohen", theksoi komisioneri evropian.
Për Malin e Zi dhe Serbinë, Hahn tha se vendet urgjentisht duhet të zbatojnë reformat në fushën e sundimit të ligjit si kushti më i rëndësishëm për të ecur përpara në rrugën e tyre evropiane.
Hahn për Bosnjë dhe Hercegovinën tha se ka nevojë të zbatojë reforma në shumë fusha.