Riyaz Ul Khaliq
12 Prill 2021•Përditësim: 12 Prill 2021
Kina shprehu shqetësimin për asgjësimin e mbeturinave nga termocentrali bërthamor i Japonisë në det, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kina i ka shprehur shqetësim të madh Japonisë përmes kanaleve diplomatike, duke kërkuar që vendi të marrë një qëndrim të përgjegjshëm ndaj hedhjes së ujit radioaktiv të termocentralit Fukushima", raportoi gazeta lokale People's Daily, duke cituar Ministrinë e Jashtme kineze.
Javën e kaluar, Japonia tha se planifikon të hedhë ujërat e zeza radioaktive nga centrali bërthamor Fukushima në oqean.
Qeveria e kryeministrit Yoshihide Suga do të ecë përpara me idenë, pavarësisht kundërshtimit brenda dhe jashtë vendit dhe mund të shpallë vendimin që të martën.
Ujërat e ndotura, megjithëse të pastruara, mund të përmbajnë ende tritium radioaktiv.
Autoritetet japoneze duan të hollojnë mbetjet në "standardet e pranueshme globale" dhe të fillojnë t'i hedhin ato në oqean dy vjet nga tani.
Industria e peshkimit në Japoni dhe disa autoritete provinciale kanë shprehur shqetësime mbi planin, i cili gjithashtu ka tërhequr kritika nga Kina dhe Koreja e Jugut.
Megjithatë, qeveria japoneze tha se "do të punojë për të adresuar shqetësimet e tyre dhe për të sjellë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe partnerë të tjerë".
"Ne do të kërkojmë bashkëpunimin e organizatave globale të tilla si IAEA dhe qeveritë lokale për të kontrolluar plotësisht sigurinë e planit dhe për të ruajtur transparencën", tha javën e kaluar Kajiyama Hiroshi, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë së Japonisë.