Islam Uddin
22 Tetor 2020•Përditësim: 22 Tetor 2020
Kryeqyteti australian Canberra ka raportuar rastin e parë të koronavirusit të ri (COVID-19) në 102 ditë pasi një diplomat që u kthye nga jashtë rezultoi pozitiv ndaj virusit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas ABC News, një diplomat i moshës 70-vjeçare u kthye në Canberra nga përtej detit më 9 tetor. I moshuari, i cili ishte në karantinë, rezultoi pozitiv në testin COVID-19 në ditën e dhjetë pas kthimit të tij nga jashtë.
"Ne kemi rastin e 114-të të njoftuar në ACT (Territori i Kryeqytetit Australian)", tha Dr. Kerryn Coleman, shefi i shëndetësisë së rajonit ACT.
Canberra rastin e saj të fundit e raportoi në muajin qershor dhe kaloi pa infeksione të raportuara për rreth tre muaj. Qyteti po ashtu lehtësoi kufizimet pas 90 ditësh pa asnjë rast të regjistruar.
Aktualisht në Canberra lejohet grupimi deri në 200 persona, kinematë janë hapur me kapacitet të përgjysmuar dhe shumë vende pune po fillojnë një plan të kthimit në punë.
"Rasti i ri i sotëm i raportuar nuk ndikon në kufizimet e ACT-së", tha Rachel Stephen-Smith, ministre e Shëndetësisë së ACT-së.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, Australia deri më tani ka raportuar 27.458 raste të koronavirusit, përfshirë 25.159 të shëruar dhe 905 vdekje.