Mahmoud Mohamed Barakat
30 Prill 2020•Përditësim: 01 Maj 2020
Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e Libisë, e njohur nga OKB-ja ka shpallur tre baza ajrore "të okupuara" nga forcat e huaja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një publikimi vizual nga zëdhënësi ushtarak i GNA-së, Mohamed Qanunu i bërë të mërkurën vonë në Facebook, tre baza ajrore Al-Watya, Al-Jufra dhe Al-Khadim, drejtohen nga vendet e huaja përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
"Këto baza drejtohen nga vendet e huaja për të krijuar kaos në Libi", tha Qanunu.
Ai vazhdoi duke thënë se bazat ajrore përdoren si "strehë e lançimit për avionët që bombardojnë caqet civile dhe instalimet shtetërore, nga të cilat janë vrarë qindra civilë, përfshirë shumë fëmijë dhe gra, si dhe kanë shkatërruar shkolla dhe spitale".
Zëdhënësi tha se çlirimi dhe neutralizimi i tre bazave ajrore është bërë një "detyrë fetare dhe kombëtare dhe është prioritet i forcave tona, sepse ato përbëjnë një rrezik për civilët".
Lidhur me bazën ajrore të Al-Watya, Qanunu tha se ajo përbën kërcënimin më të madh.
"Vendet që mbështesin (komandantin Khalifa) Haftar kanë punuar që ta bëjnë atë (Al-Watya) një bazë të Emirateve, të ngjashme me rolin e bazës ajrore Al-Khadim", tha ai.
Qanunu tha se baza ajrore e Al-Watya aktualisht është nën kontroll të pjesshëm të forcave të GNA-së, duke pohuar se po bëhen përpjekje që ta marrin në mënyrë paqësore për të shmangur gjakderdhjen.
"Nëse nuk bëhet në mënyrë paqësore, ne do të detyrohemi të përdorim forcën", tha ai.
Në Al-Jufra, tha zëdhënësi, janë të pranishme grupet e armatosura nga Darfuri i Sudanit, si dhe avionët luftarakë dhe dronët e EBA-së janë vendosur në bazën ajrore në Libinë qendrore.
Al-Jufra "shkatërron jugun dhe e ndan atë nga pjesa tjetër e Libisë, pasi ndërpret furnizimin me ushqim dhe ilaçe nga të gjitha qytetet e jugut", tha ai.
Lidhur me bazën ajrore të Al-Khadim në verilindje të Libisë, Qanunu tha: "EBA e kanë okupuar atë hapur dhe qartë që nga viti 2016, kurse raportet e ekipeve të ekspertëve të OKB-së ia kanë përcjellë botës pamjen e plotë të okupimit të bazës ajrore nga Emirateve të Bashkuara Arabe".
Ai deklaroi se "shumë ndërtime u zhvilluan në bazën ajrore gjatë katër viteve, duke përfshirë ndërtimin e hangareve të avionëve, një pistë dhe ndërtesë akomodimi për personelin e huaj ushtarak".
Qanunu tha se "baza Al-Khadim është shtëpia kryesore e operacioneve për forcat e huaja dhe është një bazë e EBA-së në tokën libiane".
Të mërkurën, GNA denoncoi praninë e paautorizuar të një avioni luftarak francez Rafale dhe avionin e furnizimit me karburant mbi zonat Misrata dhe Abugrein.
GNA akuzon disa vende rajonale dhe evropiane për sigurimin e mbështetjes ushtarake për militantët besnikë të gjeneralit renegat, Khalifa Haftar, i cili kundërshton legjitimitetin dhe autoritetin e GNA-së në vendin e pasur me naftë.
Haftari shpalli veten sundimtar të Libisë të hënën, duke pretenduar se ai "pranoi mandatin e popullit libian" dhe duke e quajtur "Marrëveshjen e Skhirat" të ndërmjetësuar nga OKB-ja në vitin 2015 për një qeveri të unifikuar në vend "një gjë e së kaluarës".
Që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri: ajo e Haftarit në lindje të Libisë, e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe EBA dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe ndërkombëtare.
Ushtria e vetëshpallur Kombëtare Libiane (HNA) e Haftarit filloi një ofensivë të dështuar për pushtimin e Tripolit prillin e kaluar, e cila shkaktoi gjakderdhje dhe vuajtje, por ngeci në periferi të qytetit.