İlker Girit
25 Tetor 2017•Përditësim: 25 Tetor 2017
STAMBOLL (AA) – Futbollistët e klubit italian Lazio, do të shfaqen në ndeshjen e sontme të Seria A, me fanella me imazhin e viktimës së Holokaustit, Anne Frank, si një kundërpërgjigje për anti-semitizmin i cili e ka kapluar klubin, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria e Lazios ka konfirmuar se lojtarët e tyre në ndeshjen e sontme të Seria A kundër Bolonjës, do të veshin fanella me imazhin e gjermanes me origjinë hebreje, që vdiq në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen në vitin 1945.
Një vendim i tillë është marrë pasi paraprakisht tifozët e Lazios të dielën vendosën ngjitëse rreth stadiumit Olimpico në Romë në të cilat ishte portretizuar Anne Frank me fanellën e rivalëve të Romës.
Në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të Lazios thuhet se ekipi do të demonstrojë në stadiumin "Renato Dall'Ara" në Bolonjë "angazhimin e klubit për të luftuar të gjitha format e racizmit dhe antisemitizmit".
Pasi vizitoi një sinagogë të martën, presidenti i klubit Claudio Lotito tha se klubi do të organizojë për 200 tifozë të tyre një vizitë në Auschwitz, kampi më i madh nazist i përqendrimit, në mënyrë që të mos harohen disa gjëra.
Ndërkohë, Federata Italiane e Futbollit njoftoi se në të gjitha ndeshjet e kësaj jave do të lexohet një pjesë e ditarit të famshëm të Anne Frank dhe do të mbahet një minutë heshtje.