Burak Bir
16 Qershor 2020•Përditësim: 17 Qershor 2020
Më shumë se gjysma e grupit prej 44 ushtarë malianë, të cilët u zhdukën pasi autokolona e tyre u fut në pritë gjatë fundjavës, janë gjetur të vdekur në veri të kryeqytetit Bamako, bëri të ditur ushtria, raporton Anadolu Agency(AA).
Në një operacion të zhvilluar nga forcat e sigurisë, u zbuluan kufomat e 24 ushtarëve, ndërsa tetë ushtarë u shpëtuan.
Katër automjete u shkatërruan plotësisht në rajon, ku operacioni i ushtrisë është duke vazhduar.
Të dielën, një autokolonë ushtarake u sulmua nga një grup i paidentifikuar i armatosur në qytetin Diabaly të rajonit Segou në Malin qendror, ku 14 automjete dhe 44 ushtarë u zhdukën. Forca ajrore filloi një operacion kërkimi.
Mali, një nga vendet më të varfra në botë, vuan nga prania e disa grupeve militante, ku paqeruajtësit francezë, malianë dhe të OKB-ve po kryejnë operacione kundër terrorizmit.
Tensionet në Mali shpërthyen në vitin 2012 pas grusht shtetit të dështuar dhe një rebelimi nga grupi etnik nomad Touareg që përfundimisht lejoi grupet militante të lidhura me Al-Kaedën të merrnin nën kontroll gjysmën e pjesës veriore të vendit. Në vitin 2015, u nënshkrua një marrëveshje paqeje midis qeverisë dhe grupeve kryengritëse.